Home » ekonomi » Posta e Kosovës dhe e Maqedonisë promovojnë turizmin malor

Posta e Kosovës dhe e Maqedonisë promovojnë turizmin malor

20160323154523618620
Posta e Kosovës dhe Posta e Maqedonisë kanë lëshuar të mërkurën në qarkullim dy pulla postare, përmes të cilave promovohet turizmi malor i të dyja vendeve.

Pullat postare bartin imazhe të Bjeshkëve të bukura të Sharrit, që shtrihen në të dyja anët e kufirit të Kosovës dhe Maqedonisë.

“Sharri është resor shumë atraktiv, me kushte klimatike, që e bëjnë të përshtatshëm për turizëm, sport dhe rekreacion, gjatë tërë vitit. Është një zonë ideale për skijim gjatë dimrit, por shumë e përshtatshme edhe për ecje në natyrë dhe çiklizëm malor gjatë verës”, ka thënë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Ai theksoi se përmes pullave postare, të cilat nga sot do të qarkullojnë, jo vetëm nëpër Kosovë dhe Maqedoni, por edhe në tërë botën, dy ndërmarrjet postare po japin një kontribut simbolik në promovimin e turizmit malor të të dyja vendeve.

Ndërkaq, Drejtori Gjeneral i Postës së Maqedonisë, Fadis Rexhepi deklaroi se përmes pullave postare disajnerët kanë ofruar pamje nga bukuritë e rralla të Bjeshkëve të Sharrit, pamje nga Kodra e Diellit në Maqedoni dhe Brezovica në Kosovë.

“Turizmit të Maqedonisë dhe Kosovës po i japim një mbështetje dhe promovim të vazhdueshëm. Kufijtë nuk paraqesin pengesë për bashkërenditje të aktiviteteve tona”, ka thënë Rexhepi.

Në këtë promovim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në realizimin e këtij projekti të përbashkët të Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha u ka dhuruar pullat postare të punuara në pllakë bronzi Drejtorit të Postës së Maqedonisë dhe përfaqësueses së MTI-së, Lumturije Geci.

“Investimet e Qeverisë së Kosovës në Bjeshkët e Sharrit do ta shndërrojnë këtë pasuri natyrore në destinacionin kryesor të turizmit malor në Ballkan dhe më gjerë”, ka thënë Hoxha.

Udhëheqësit e dy postave janë zotuar se në të ardhmen do të ketë edhe projekte tjera të përbashkëta si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar para dhjetë ditësh në Shkup, njofton Zyra për Informim e Postës së Kosovës.

About radioceli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*